Haradinaj: Kosova pret krijimin sa më të shpejt të institucioneve
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi pret nga fituesit e zgjedhjeve që sa më shpejt t’i krijojnë institucionet e reja dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta.
Haradinaj ka thënë se fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit nuk kanë fuqi për t’u përballur me integrimin e veriut të vendit.
“Kosova sot, prej fituesve të rinj të zgjedhjeve pret krijimin sa më shpejt të institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta, duke përfshirë këtu dialogun e brendshëm dhe të jashtëm, që të vetmin përcaktim ka ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit të vendit e karakterit unitar të shtetit. Dialogu i brendshëm vetëm me përfaqësues minorë e pa ndonjë fuqi elektorale të serbëve nga pjesa qendrore e Kosovës, jo vetëm se mund të jetë selektiv, por edhe sinjal i keq për karakterin unitar të shtetit”.
“E konsideroj po ashtu të parakohshme ngutjen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe druaj se, në mos për vetë pjesëmarrësit në këto zgjedhje, të tjerët do ta shohin si një hile dhe mundësi për të rikthyer skenarë të vjetër për ndarje. E pakta kjo mund të konsiderohet si një lloj pafuqie për tu përballur me integrimin e patjetërsueshëm të veriut të vendit!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.