Haradinaj: Kosova qëndron e palëkundur në luftën kundër ekstremizmit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti ynë si pjesë e Koalicionit Global kundër ISIS-it qëndron e paluhatur në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Jemi duke e përcjellur me vëmendje operacionin e largimit të trupave ushtarake amerikane nga Siria, pas mundjes së kalifatit territorial ndaj ISIS-it. Në partneritet të plotë me ShBA dhe aleatët e koalicionit global, kundër ISIS, Kosova qëndron e paluhatur në misionin e mundjes së qëndrueshme dhe çrrënjosjes së ISIS dhe elementeve tjera të ekstremizimit të dhunshëm, globalisht”.
“Duke marrë parasysh se fitorja në Siri nuk sinjalizon fundin e Koalicionit Global kundër ISIS, Kosova si pjesë e këtij Koalicioni në këtë luftë, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendosmëri do të vazhdojë t’i jetësojë përgjegjësitë dhe rolin e saj ndaj sigurisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/