Haradinaj: Kosova ruan miqësi të mirë me popullin slloven
Kosova ruan një miqësi të mirë me popullin slloven dhe kjo miqësi duhet të vazhdojë. Ky është mesazhi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas pritjes që i bëri zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec.c
Kryeministri Haradinaj ka thënë se ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha. “Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik, duke e përmirësuar çdo herë e më shumë balancin e eksportit dhe importit me këtë vend”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar. “Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne. Ne jemi një vend euroatlantik – ky është destinacioni ynë”, ka theksuar kryeministri Haradinaj, duke ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e Kosovës për të respektuar secilin etnitet në vend.
“Krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues, nuk e ndryshon balancin e sigurisë në rajon, për më tepër kontribuon në të”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec, ka vlerësuar arritjet dhe progresin e madh që është bërë në Kosovë në këto 10 vjet të shtetësisë, duke shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunimin bilateral në fushën e ekonomisë dhe përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj integruese, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe në udhëheqjen e iniciativave rajonale.
Pjesë e takimit kanë qenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi dhe ambasadori slloven në Kosovë, Bojan Bertoncelj.