Haradinaj: Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj të shquar
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur pikëllimin e tij me vdekjen e ish-senatorit Richard Lugar.
Ish-senatori republikan, Richard Lugar, ishte mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës.
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në profilin e vet zyrtar në “Facebook”, ka thënë se Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj më të shquar.
Përmes këtij telegrami ngushëllimi, Haradinaj, ka thënë se shqiptarët do të jenë mirënjohës përjetë ndaj ish-senatorit, Richard Lugar.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj të shquar, ish-Senatorin amerikan nga Partia Republikane Richard Lugar, mbështetësin e madh të pavarësisë sonë.
Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë përfaqësuesit të shtetit Indiana në Senat, Lugar, i cili së bashku me John McCain përkrahu Presidentin Bill Clinton për intervenim kundër Serbisë, për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë.