Haradinaj: Kosovës nuk i duhet liria nëse është e izoluar
Në qytetin e Pejës është bërë zbulimi i shtatores së heroit të kombit, gjeneralmajor Shkëlzen Haradinaj dhe obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës.
Kryeministri i Kosovës dhe vëllai i Shkëlzenit , Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, ka thënë se dëshmorët kanë dhënë jetën që Kosova të jetë e lirë e jo e izoluar.
“Kur flasim për rrugën tonë drejt lirisë nuk duhet të harrojmë kontributin e atyre që dhanë jetën. Jemi në Pejën e Haxhi Zekës, asnjëherë nuk do t’i harrojmë ata që kanë mbrojtur Kosovën. 74 për qind e infrastrukturës së Pejës ka qenë e shkatërruar, qindra të vrarë. Kjo është historia e Pejës, po kështu është historia e gjithë Dukagjinit”.
“Nuk dëshirojmë liri që e izolon popullin tonë, pasi ne e kemi kërkuar lirinë tonë. E kemi kërkuar atë për t’iu bashkuar popujve tjerë, botës dhe NATO-s. Ne jemi të interesuar që t’i thellojmë marrëdhëniet me shtetin e Malit të Zi për një gatishmëri të tyre për të zgjidhur çdo problem”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë që ndjehet krenar që Dukagjini e ka “dhënë provimin” në kohën e luftës.
“Dukagjini nuk e la vetëm Drenicën dhe nuk i la Jasharajt. Kurrë nuk do t’i tradhtojmë miqtë dhe aleatët tanë”, është shprehur Haradinaj./KK/