Haradinaj: Krasniqi dhe Bogujevci janë engjëjt tanë, njashtu edhe mësuesit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka nisur fjalimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës me shprehje vlerësimi për Vasfije Krasniqin, deputeten e dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se Krasniqi, sikurse Saranda Bogujevci, dëshmitare e krimeve të luftës së Serbisë në Kosovë, janë “engjëjt tanë”.
“Së pari e kam një fjalë për Vasfije Krasniqin. Ajo është engjëll i yni”, ka thënë Haradinaj. “Unë besoni se ndihem i vogël para Vasfijes, para Saranda Bogujevcit, para dhimbjes së tyre”.
Haradinaj ka deklaruar se engjëjt e vendit janë edhe mësuesit e Kosovës.
“Ka edhe diçka të dashur qytetarë: edhe mësuesit tonë janë engjëjt tonë. Nuk ishte dashur ata të vijnë në këtë betejën tonë politike. Nuk ka logjikë t’i lëmë ata të ndihen të vetmuar”, ka thënë Haradinaj.
“Kjo temë është mjaft e dhimbshme dhe ju siguroj se nuk po ndihem mirë që kemi ardhur deri në këtë pikë. Sinqerisht po ju them, nuk po ndihem mirë”, ka deklaruar ai.