Haradinaj kritikon Kurtin: Mashtruesi që e largoi Kosovën nga BE dhe NATO
Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë virtualisht në Internacionalen Socialiste, ku përmes një video-adresimi ka thënë se asgjë nuk i shërben paqes dhe sigurisë së rajonit dhe Evropës sa anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike.
“Jemi të përkushtuar fort në vlerat dhe idetë që i përshkojnë këto organizata dhe nuk ka asgjë që do t’i kontribuonte më shumë paqes, stabilitetit, sigurisë dhe demokracisë në Ballkan Perëndimor dhe Evropë sesa anëtarësimi i Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e ka qujtur Kurtin mashtrues, duke thënë se ai është pikërisht njeriu që e ka larguar Kosovën nga BE e NATO.
Haradinaj tutje thotë se Kurti e ka kthyer Kosovën në rrugë të mbrapshtë.
“Albin Kurti paska thënë se asgjë nuk i shërben paqes më shumë se anëtarësimi i Kosovës në BE dhe në NATO! E paska zbuluar ujin e nxehtë!!! Por paska harruar mashtruesi se nëse ka një njeri që e ka larguar Kosovën edhe nga BE edhe nga NATO dhe e ka kthyer në rrugë të mbrapshtë, është pikërisht ai!
Ky mashtrues nuk po heq dorë nga mashtrimet ordinere të tij, edhe pse ai definitivisht nuk mund të mashtrojë njeri më!”, ka shkruar Hardadinaj.