Haradinaj kritikon pushtetarët: Nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se eksponentë të qeverisë Kurti, aksionin e 24 shtatorit e kanë kalkuluar në votë.
Haradinaj ka thënë se Kosova është shndërruar në problem të sigurisë ndërsa qeveria Kurti mburret se si janë rritë në përqindje.
“Mburrja e eksponentëve të qeverisë Kurti dhe deliri i tyre se pas 24 shtatorit janë rritë në përqindje, tregon se sa keq është Kosova e sa kalkulantë janë ata. Këta njerëz harrojnë që në një operacion të rendit dhe të ligjit është vrarë një hero dhe Kosova është shndërruar në problem të sigurisë e paftyrësisht mburren se si janë rritë në përqindje”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se kjo “qasje mburravece” e qeverisë Kurti, është kah i shkakton dëme Kosovës.
“Këta njerëz harrojnë që para shumë vitesh Kosova është ndier e sigurt dhe nisur nga ky fakt Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar patën tërhequr trupat e tyre në kuadër të KFOR-it dhe tash janë detyruar të rikthehen. Këta njerëz nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës me qasjen e tyre mburravece dhe me të panjohurat që pasojnë kur çështja e sigurisë së brendshme, kthehet në çështje të sigurisë ndërkombëtare”, është shprehur Haradinaj.