Haradinaj kritikon qeverinë për buxhetin e vitit 2024: Po nënçmohet policia, shëndetësi dhe drejtësi
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2024.
Në seancën e sotme parlamentare ku po shqyrtohet projektbuxheti i shtetit, ai ka thënë se qeveria ka nënçmuar disa kategori.
“Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që po iu bëhet disa kategorive, në veçanti Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga qeveria, nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuar me ligjin në fuqi”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, në adresimin e tij ai ka përmendur edhe mungesën e investimeve kapitale.
“Investimet kapitale të shtuar vetëm për 48 milionë nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik. Praktikisht, janë stagnim kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve ta parapara për vitin 2023 nuk janë realizuar, por barten në vitin buxhetor 2024. Ndërsa, mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuar në buxhetin që po e shqyrtojmë sot janë projekte të parealizuar në tri vite të fundit dhe të bartura për vitin 2024”, ka thënë Haradinaj.