Haradinaj: Kthimi në PAN nuk është formulë për AAK-në
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është duke mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm të punës. Aty pritet të bëhen ndryshime statutare të partisë dhe do të diskutohet mundësia e fuqizimit të partisë, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Po ashtu, temë e veçantë është organizimi partiak në Prishtinë, ku Haradinaj ka propozuar që në kryeqytet të krijohen pesë degë të veçanta.
Më tutje, ai ka folur edhe rreth zhvillimeve të fundit në vend. Ai ka thënë se kthimi i AAK-së në PAN nuk është formulë e kësaj partie.
“Viti 2020 pritet me qenë i rëndësishëm për Kosovën. Do të qartësohet se a do të mund të krijojmë institucione apo të rifillojmë procesin zgjedhor, apo të krijojmë forma tjera të krijimit të institucioneve”.
“AAK-ja gjithë potencialin e ka ruajtur në forcimin, mbrojtjen e Kosovës së pavarur të 17 shkurtit. Këto dy vite, ne kemi ruajtur sovranitetin e shtetit, ndërsa tjerët e kanë ruajtur partinë e vetë”.
“Kthimi në PAN nuk është formulë për Aleancën, sepse kur e kemi mbrojtur Kosovën, ata kanë mbrojtur vetëm interesin personal dhe partitë e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, ai ka kritikuar ish-ministrin i Financave, Bedri Hamza, i cili sipas tij ka heshtur për shpenzimin e rezervave shtetërore.
“Ai duhet të dalë e të tregojë ku janë, ku kanë shkuar financat. Loja dyfytyrëshe e partive partnere në koalicion ka qene mirë e orkestruar, me i marr privilegjet e me ia bart përgjegjësitë kryeministrit Haradinaj. Kanë punuar në këto dy vjet në dobësimin e kryeministrit”, është shprehur Haradinaj.