Haradinaj kujton 22 korrikun kur GjND-ja shpalli verdiktin se Pavarësia e Kosovës është legjitime
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.
“Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial. Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.