Haradinaj kujton heqjen e autonomisë së Kosovës nga Millosheviqi
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ditën kur makineria shtypëse e Sllobodan Millosheviqit kishte hequr autonominë e Kosovës.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se në këtë ditë nderojnë gratë dhe burrat e Kosovës që kanë rezistuar stoikisht në të drejtën e tyre për vetëvendosje.
“Kujtojmë ditën kur makineria politike shtypëse e Millosheviqit e hoqi autonominë e Kosovës. Nderojmë ditën kur gratë dhe burrat e Kosovës rezistuan dhe qëndruan stoikisht në të drejtën e tyre për vetëvendosje. E drejta për vetëvendosje është e drejtë e patjetërsueshme e cila na përcolli me dekada. Kjo e drejtë nuk është e zmbrapsjes dhe e përuljes por e rezistencës dhe besimit në vizionin e shtetbërjes dhe vlerave kombëtare e perëndimore”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më 23 mars të vitit 1989, Kosovës i ishte hequr autonomia që kishte në kuadër të ish-Jugosllavisë.