Haradinaj kujton heroinën Mervete Maksutaj: Akti i saj sublim mishëron vetëmohimin më të lartë për atdheun
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroinën Mervete Maksutaj në përvjetorin e përjetësimit.
Ai ka thënë se akti i saj sublim në Spitalin e Pejës, mishëron vetëmohimin më të lartë për atdheun.
“Në altarin e lirisë, heroina Mervete Maksutaj shkroi me gjakun e saj një nga faqet më fisnike të historisë sonë. Akti i saj sublim në Spitalin e Pejës, ku u përball me forcat pushtuese për të shpëtuar shokun e plagosur, mishëron vetëmohimin më të lartë për atdheun”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Më tutje, ai ka thënë se rënia e saj heroike mbetet dëshmi e gjallë e çmimit të shtrenjtë për Kosovën e lirë
“Trimëresha e Dukagjinit na mësoi se dashuria për liri është më e fortë se vdekja, duke u bërë kështu simbol i përjetshëm i guximit dhe sakrificës supreme. Rënia e saj heroike mbetet dëshmi e gjallë e çmimit të shtrenjtë që populli ynë pagoi për Kosovën e lirë. Lavdi të përjetshme Mervete Maksutaj!”, ka shkruar Haradinaj.