Haradinaj kujton masakrën në Abri të Epërme
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën në Abri të Empërme, që ndodhi 21 vjet më parë.
Ai ka thënë se çmimi i lirisë ishte i shtrenjtë dhe kujtimi i përjetshëm i të rënëve është thirrje për të mos harruar dhe për ta vendosur drejtësinë.
“Me përulje kujtojmë sot anëtarët e familjes Deliu, që u martirizuan në themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës. Në Abri të Epërme, 21 vjet më parë, është kryer një nga masakrat më mizore mbi popullsinë civile, duke mos kursyer askënd, as pleqtë e foshnje gjashtë muajshe. Çmimi i lirisë ishte i shtrenjtë dhe kujtimi i përjetshëm i të rënëve është thirrje për të mos harruar dhe për ta vendosur drejtësinë. Sot, si gjithmonë duhet të bashkohemi për ta ruajtur lirinë që e fituam me aq shumë sakrificë. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet “Facebook”.