Haradinaj kujton takimin me James Mattisin ku mori mbështetje vendimtare për formimin e ushtrisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar takimin me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, në 5-vjetorin kur kishte marrë përgjigje pozitive për Ushtrinë e Kosovës.
Haradinaj takimin me sekretarin Mattis në atë kohë e ka konsideruar si më të rëndësishmin në karrierën e tij politike.
“Sot 5 vjet nga takimi me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, ndër më të rëndësishmit në karrierën time politike, mbështetja e të cilit ishte vendimtare në krijimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj në një postim në “Facebook”.
Haradinaj ka shtuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO.
“Kosova është e rreshtuar krah botës demokratike të udhëhequr nga ShBA. Synimi ynë është anëtarësimi i saj në NATO dhe institucionet tjera euro-atlantike – aty e kemi vendin! Mirënjohës përjetë ShBA-së dhe Sekretarit Mattis”, është shprehur Haradinaj.