Haradinaj kujton të rënët e 21 majit: Me gjakun e tyre shkruan historinë tonë më të re
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 21 majit të vitit 1998.
Haradinaj ka kujtuar heroin Myrtë Zeneli me bashkëluftëtarët Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina.
“Më 21 maj 1998, gjatë betejës treditore në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz e Bokshiq, do të përjetësohej Heroi Myrtë Zeneli, ndër luftëtarët e parë të Shqiponjës dhe dëshmori i saj i parë, me bashkëluftëtarët Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj po ashtu ka kujtuar edhe heroin Arben Haliti dhe tre vëllezërit; Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexha.
“Po të njëjtën ditë u përjetësua edhe Heroi Arben Haliti. Kujtojmë tre vëllezërit; Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexha, që ranë të pandarë, për ta shkruar me gjakun e tyre historinë tonë më të re, si porosi brezave për sakrificën madhore për këtë tokë. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”, është shprehur Haradinaj.