Haradinaj kujton vëllain Shkëlzenin dhe bashkëluftëtarët në përvjetorin e rënies

16 prill 2023 | 15:28

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar dëshmorët Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj dhe Shkëlzen Haradinaj.

Haradinaj në një postim në “Facebook”, ka shkruar se 16 prilli 1999 ishte njëra ndër ditët më kritike të luftës për liri.

“16 prilli 1999 ishte njëra ndër ditët më kritike të luftës për liri. Ato ditë lufte, armiku duke e nuhatur humbjen që po i vinte pashmangshëm nga frontet e luftës, u përpoq që egërsinë dhe mllefin ta shfryejë ndaj popullatës civile. Të betuar të luftojnë deri në vetëflijim që shqiptarët të jetojnë të lirë, ranë heroikisht; Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen Haradinaj”.

“Me guximin e tyre të pashoq ata nuk kursyen asgjë nga vetja, iu kundërvyen armikut për t’i dalë në mbrojtje popullatës civile duke u bërë frymëzim për bashkëluftëtarët e tjerë për ta çuar luftën triumfalisht deri në fund”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj bashkë me bashkëluftëtarë e miq, ka bërë homazhe dhe morën pjesë në “Marshin e Lirisë”, nga Kulla e dëshmorëve në Gllogjan deri në Maznik te lapidari i heronjve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre stacionet e mbetura të energjisë bërthamore të Gjermanisë u…