Haradinaj i kundërpërgjigjet Kurtit për zgjedhje
25 maj 2018
| 13:54
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur liderit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili gjatë tryezës me partitë politike të organizuar nga kjo lëvizje ka kërkuar shkuarjen në zgjedhje si dhe ka theksuar se “Haradinaj është kryeministër i marrë me qera nga Thaçi”.
“Tani ai është pak si papunë pra duhet t’i riparojë ndarjet në parti dhe po kërkon tema. Kam kaluar nëpër këto që po kalon ai dhe s’kam diçka të them më shumë”, ka theksuar Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se është duke punuar në shërbim të qytetarëve dhe të askujt tjetër.
“Respekt për të gjithë. Po, jam në shërbim të qytetarëve të vendit dhe jo të dikujt tjetër”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/