Haradinaj: Kurti është një tip mashtrues për palën ndërkombëtare, nuk po i zbaton obligimet e marra
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është një tip mashtrues në sytë e ndërkombëtarëve pasi siç thotë ai, obligimet që i ka marrë po kërkon mënyra që t’i minojë ato.
Ai tha se Kosova është vonuar të japë propozimin e saj për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kjo vonesë siç tha ai po lexohet si dëshirë për ikje nga Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit.
“Po kuptohet se Kurti është një tip mashtrues për palën ndërkombëtare, edhe pse i ka marrë obligimet, ai po kërkon mënyra ti minojë ato, të mos i zbatojë, nuk po del serioz. Nëse Kosova vazhdon të dalë si pala joserioze, si pala që po e rrezikon sigurinë, stabilitetin, besoj goditjet janë të rënda për Kosovën”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini, përcjell Reporteri.net.
Sipas tij, Kosova e ka humbur besimin nga aleatët, dhe kjo do i kushtojë këtij vendi në të gjitha rrafshet.
“Ndryshimi i pozicionit të Kosovës nga vendi i besueshëm, është llogaritë pas Amerikës si vendi i dytë ku amerikanët ndihen si në shtëpinë e vet, institucionet janë pro-amerikane, ka bashkëpunim në çdo fushë, vetëm humbja e këtij pozicioni që ka qenë mjaft i dobishëm ku edhe vendet e tjera janë kujdes si me u sjellë me ne, është serioze. Në momentin që e humbim këtë pozicion do na kushtojë në të gjitha rrafshet”, shtoi ai.
Ndërsa në lidhje me telefonatën e mbrëmshme në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në lidhje me shtensionimin e situatës Kosovë – Serbi, Haradinaj ka thënë se kjo telefonatë flet shumë dhe se nuk i ka lënë materie tjetër Kurtit, veçse të zbatojë planin trepikësh.
Sipas tij, ishte një telefonatë telegrafike, në të cilën u dha një ultimatum për planintrepikësh dhe se “nuk u përmendën marrëdhëniet e mira Kosovë- ShBA”.
“Ajo telefonatë, është një lloj komunikimi me palën që nuk e zgjeron shumë bisedën, nuk i ka cekë marrëdhëniet e mira. Ai thotë me urgjencë të depërshkallëzohet situata dhe planitrepikësh, kjo flet shumë, nuk i ka lënë ndonjë materie tjetër, përkundër se Kurti i zgjeron më shumë, u mvesh aspekte tjera, ishte mjaft telegrafike, ishte ultimatum”, ka thënë Haradinaj.
Ndër të tjera, kreu opozitar tha se kryeministri, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk janë duke e kuptuar seriozitetin e situatës.
“Jemi në situatën e njëjtë si në kohën e targave, Amerika atëherë deshi të na ruajë nga situata në veri, sikurse te rasti i zgjedhjeve, te kryetarët e rinj të mos hynë në ndërtesa komunale, të gjitha këto situata që nuk kanë pasur koordinim e kanë sjellë situatën më keq. Presidentja, kryeministri, qeveria, nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës dhe sa e rrezikshme është kjo situatë për ne”.