Haradinaj: Kurti po tregohet i pazot që të përballet me Serbinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të dielën se Kurti po tregohet i pazot të përballet me Serbinë.
I pyetur nga gazetarët për ndërtimin e objektit të përhershëm të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës” me seli të përkohshme në veri, Haradinaj ka thënë se ka mjaft situata ku kryeministri Kurti po tregohet i pazot që të përballet me Serbinë.
“Ka mjaft situata ku Kurti po tregohet i pazot për t’u përballur me Serbinë. Ky o po i shlyen borxhe ose po i paguan borxhe Serbisë. Nuk po flasim më për taksën që është hequr dhe për reciprocitetin që nuk është vendosur. Kemi rritje të importit nga Serbia. E kjo flet shumë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se në të kaluarën institucionet e Kosovës janë sjell ndryshe ndaj zyrtarëve serbë që i kanë tejkaluar kompetencat gjatë vizitës në Kosovë. “Në të kaluarën e dini si kemi vepruar në raste të ngjashme kur zyrtarët serbë kanë tejkaluar kompetencat gjatë qëndrimit në Kosovë. Kjo është ajo pse e kam pyetur Kurtin mos je peng apo mos të mbajnë me diçka”, është shprehur Haradinaj.