Haradinaj: Kurti shkurtpamës, s’po shihen të arriturat e vizitës së tij në ShBA

16 maj 2022 | 15:46

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se tani është koha që Kosova të kalojë në ofanzivë politike dhe diplomatike në procesin e dialogut për të arritur marrëveshjen me Serbinë.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut teknik vetëm po i sjellë dëme Kosovës.

“Mendoj se është duke i sjell dëme vazhdimi i dialogut të teknikëve rreth ngjitësve të tabelave dhe stiketsave. Është koha me kaluar në një ofanzivë politike dhe diplomatike në dialog me e ngushtuar Serbinë, pra me vendos para aktit të kryer për marrjen e njohjes e kjo qasje e dialogut është e gabuar”, ka thënë lideri i AAK-së.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në ShBA, ka komentuar edhe vizitën e kryeministrit aktual, Albin Kurti i cili është duke vazhduar të qëndrojë në Amerikë.

Haradinaj është shprehur se rezultatet e kësaj vizite të Kurtit nuk po i sheh.

“Mendoj se kam bërë punë të duhur atje. Është tepër me rëndësi për Kosovës që t’i forcohet siguria, shteti ligjor, baza ekonomike, por edhe miqësia me Amerikën, sepse na afron drejt NATO-së. Sa i përket komenteve për vizitën e kryeministrit po kursehem sepse nuk po i shoh të arriturat e kësaj vizite. Kurti është ta quaj ashtu shumë shkurpamës në ekonomi. Ai ka ndërprerë të gjitha investimet kapitale në infrastrukturë. Nuk mundesh të bësh ekonomi pa infrastrukturë. Parakusht që me ndodh ekonomia është infrastruktura dhe për këtë arsye thash po kursehem për shkak se nuk po i shoh të arriturat. Nuk po e shoh suksesin e kohës që po e shfrytëzon atje”, ka thënë Haradinaj.

Kosova javën e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe këtë iniciativë, Haradinaj ka vlerësuar se është bërë në moment të duhur, derisa ka theksuar angazhimin e tij për këtë proces.

“Është bërë punë e gjatë në vazhdimësi, por është momenti i duhur se tanimë nuk është Rusia në Këshillin e Evropës me na penguar. Besoj shumë në ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë dhe ta realizojmë. Është e arritur e gjithë Kosovës dhe e institucioneve, ka qenë një punë e madhe dhe e vazhdueshme dhe angazhohemi seriozisht që të arrihet”, ka thënë Haradinaj.

Më 13 maj 2022 në Bruksel është zhvilluar një takim në nivel kryenegociatorësh, por përsëri nuk është arritur marrëveshja lidhur me targat e veturave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e ri…