Haradinaj, Kurtit: A është “baba i tenderëve” ende kryekriminel?
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputeti Ramush Haradinaj, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se tani është vonë me thirrë qeverinë në përgjegjësi ose reflektim.
Sipas tij, tani është kryesore t’u bëhet thirrje qytetarëve për vaksinim dhe të kujdesën për vete sepse, sipas tij qeveria nuk ka qenë këtu që të kujdeset për ta.
Haradinaj i është drejtuar me dy pyetje kryeministrit Albin Kurti, në fillim të seancës se parë të Kuvendit sa i përket sesionit vjeshtor.
Pyetjen e parë ia ka drejtuar për Nexhat Krasniqin, ish-shefin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Kryeministër kam pyetur tre ministra të juaj, atë të Drejtësisë, të Transportit dhe ministrin e Rendit, për ‘babën e tënderëve’ për një kryehajn që emrin e ka Nexhat Krasniqi, sipas këtyre tre ministrave. I pyes çdo seancë dhe nuk më kanë dhënë përgjigje. Kur kam qenë kryeministër i kam respektuar si deputetë, ju kam dhënë përgjigj, jam interesuar për pyetjet e tyre, e kam gjetur kush është personi dhe ka rezultuar se ai është largu nga puna. Tani nuk e di të vërtetën e këtij njeriu, por po ju pyes juve a dini për Nexhat Krasniqin, që më kanë pyet tre ministrat e juaj, a është Nexhati ende kryekriminel, ‘baba i tenderëve’, ku e di unë, apo është i mirë ai. Apo ju kryeministër dhe tre ministrat e juaj jeni më të këqij se Nexhati. Do të ju shkruaj edhe letër për ketë”, ka pyetur Haradinaj Kurtin.
Ndërsa pyetja e dytë që e ka parashtruar Haradinaj është ndërlidhur me ministrin Liburn Aliu.
“Pyetjen e dytë e kam për dy shokë të mi, Fatmir Humollin dhe Gani Krasniqin. Të dytë dua me i pyet qysh ka kaluar Liburni në Beograd dhe çfarë është puna e këtij korridori të hekurudhave si diçka e re?”, ka përfunduar ai.