Haradinaj, Kurtit: Dikur veç unë të quaja mashtrues, tash numri është shumë i madh
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka shpërndarë një video incizim në faqen e tij në “Facebook” ku shihet kryeministri Kurti në një televizion të Shqipërisë duke kundërshtuar taksën që duhet paguar prej 5 euro për të hyrë në Shqipëri.
“Dikur e kundërshtoje ashpër taksën e Rrugës së Kombit dhe unë atëherë isha me ty! Por ti nuk paske qenë i sinqertë, sepse ndryshe nuk kishe vendosur që shtresës së mesme të popullit, e për hesap të oligarkëve, me ia marrë edhe nga 5 euro nga xhepi. Edhe kjo ‘nalepnica jote’ ka mundur të kushtojë 1 euro, por ti paske hesape të tjera”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se: “Dikur veç unë të quaja mashtrues e tani numri atyre që të cilësojnë si mashtrues është tepër i madh! Zbrit në tokë o kryeministër se shteti nuk udhëhiqet me llafe, sado të bukura qofshin ato, por me punë! E ju çdo punë po e keni të ligë, siç e ligë është edhe kjo hajnia prej 5 eurosh!”.