Haradinaj, Kurtit: Ikja nga Amerika është shkuarje në Moskë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbajtur të hënën një konferencë të jashtëzakonshme për media për zhvillimet në veri të vendit.
Ai ka thënë se Kosova është duke humbur me këtë situatë sepse Serbia me strukturat e veta ka provokuar dhe ia ka arritur t’i nxjerrë institucionet e Kosovës prej veriut.
“Shikoni në çfarë situate jemi tash. Jo vetëm që na kërkohet tërheqja nga vendimi për targat, por edhe themelimi i asociacionit. E kjo është dështim i qeverisë dhe qytetarë të Kosovës vlerësojeni vetë se kush është dhe për kënd punon Albin Kurti”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se ikja nga Amerika është shkuarja për në Rusi.
“Menjëherë të aprovohet kërkesa e Amerikës për pezullim të vendimit për targat. Kthimi te Amerika është kthimi te siguria, te rendi dhe ligji dhe te sukseset e Kosovës. Ikja prej Amerikës është ikje në Moskë”, është shprehur Haradinaj.