Haradinaj, Kurtit: Kush je ti në të vërtetë që premton parajsën e po i jep popullit zhgënjimin

15 gusht 2021 | 09:38

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kurti “premton parajsën e po i jep popullit zhgënjimin”, dhe se duke premtuar bashkimin, ka shkaktuar ndarjen.

“Thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve mbi 30% dhe të hyrat buxhetore të shtetit!? Po, është rritur qarkullimi, pasi që e ke krahasuar me vitin 2020, vit i pandemisë, vit i mbylljes totale të ekonomisë dhe aktivitetit biznesor! Po, janë rritur edhe të hyrat buxhetore, sepse i ke krahasuar me vitin më të jashtëzakonshëm që historia njerëzore njeh”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Kryeministër mburravec, sikur te tregimi i “lepurit mburravec”!
Me mburrje të bazuara tërësisht në mashtrime.

Thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve mbi 30% dhe të hyrat buxhetore të shtetit!?

Po, është rritur qarkullimi, pasi që e ke krahasuar me vitin 2020, vit i pandemisë, vit i mbylljes totale të ekonomisë dhe aktivitetit biznesor!

Po, janë rritur edhe të hyrat buxhetore, sepse i ke krahasuar me vitin më të jashtëzakonshëm që historia njerëzore njeh.

Edhe më shqetësuese është rritja e të hyrave buxhetore të lidhura me import, veçanërisht importin nga Serbia, që po përjeton ngritjen më të madhe ndonjëherë. Praktikisht gjithçka po shkon teposhtë.

Nëse je vërtetë kryeministër për qytetarët e Kosovës, do të ishe kujdesur për situatën pandemike dhe gjendjen më alarmante deri më tani të të infektuarve.
Do të ishe marrë me përmirësimin e raporteve me SHBA dhe Gjermani dhe jo si deri më tani duke i dëmtuar skajshëm!

Kush je ti në të vërtetë? Ti që premton parajsën e po i jep popullit zhgënjimin. Ti që ke premtu bashkimin, e po e marrim ndarjen. Ti që ke premtu pavarësim, e po marrim degradim!

RH

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Temperatura të larta do të ketë sot gjatë gjithë ditës…