Haradinaj, Kurtit: Mos eksperimento me Ligjin për paga, durimi ka kufi
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi në media ka qarkulluar Projektligji i pagave. Sipas Haradinajt rritja e koeficientit dhe zvogëlimi vlerës monetare të tij është mashtrim ordiner.
Ai ka thënë se është e rëndësishme që të ky ligj të rirregullohet.
“Rritja e koeficientit, e në anën tjetër zvogëlimi i vlerës monetare, është mashtrim ordiner. Është tepër me rëndësi që të rirregullohet Ligji i Pagave, por ky ligj nuk duhet të bjerë. Po shoh komente dhe qëndrime të ndryshme të sindikatave, të zyrtarëve institucionalë dhe të autoriteteve politike. Të gjithë në një apo në një mënyrë tjetër, po i japin qëndrimet për organizatën buxhetore që përfaqësojnë”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Rritja e koeficientit dhe zvogëlimi i vlerës monetare të tij është mashtrim
Rritja e koeficientit, e në anën tjetër zvogëlimi i vlerës monetare, është mashtrim ordiner.
Është tepër me rëndësi që të rirregullohet Ligji i Pagave, por ky ligj nuk duhet të bjerë. Po shoh komente dhe qëndrime të ndryshme të sindikatave, të zyrtarëve institucionalë dhe të autoriteteve politike. Të gjithë në një apo në një mënyrë tjetër, po i japin qëndrimet për organizatën buxhetore që përfaqësojnë.
Vlerësimet të cilat kanë qenë të evidentuara, janë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Ato duhet të rregullohen, ndërsa koeficienti dhe vlera e tij, jo vetëm se nuk duhet të zvogëlohen por ato duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të konsumit.
Në këtë vend gjithçka është rritur, përpos pagave që kanë mbetur në vendnumëro!
I bëj thirrje qeverisë që të mos eksperimentojë me këtë ligj, sepse durimi ka kufi.
Pagat duhet të harmonizohen me shkallën e shtrenjtimit të jetesës e jo që punëtoria kosovare të shndërrohen në kategori sociale!