Haradinaj, Kurtit: Nëse s’e tërheq këtë buxhet, qytetarëve u sugjeroj të të shpallin ‘non grata’
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë të enjten se në Kuvend është nxjerrë për miratim buxheti më skandaloz që e ka pasur Kosova ndonjëherë.
Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurt që ta tërheq projektbuxhetin aktual përpara se sipas tij, të përballet me padëgjueshmëri qytetare.
“Diskriminimi që u ka bërë Albin Kurti komunave që nuk janë nën qeverisjen e partisë së tij, nuk ka ndodhur as në kohën e Rankoviqit. Me këtë buxhet Albin Kurti i ka shpallë luftë të hapur qytetarëve të këtij vendi, duke ua pakësuar edhe bukën”.
“Nëse nuk e tërheqë këtë buxhet, u sugjeroj qytetarëve të komunave të dëmtuara, të të shpallin ‘non-grata’”, ka thënë Haradinaj.
Aktualisht, në Kuvend po diskutohen amendamentet e propozuara për buxhetin e vitit 2024, por mazhoranca nuk e ka përkrahur asnjë amendament të propozuar nga opozita.