Haradinaj, Kurtit: Rriti pagat e kategorive të lirisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kategoritë e lirisë përgjatë këtij mandati qeverisës janë poshtëruar vazhdimisht.
Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se Vetëvendosje kur është bërë fjalë për veteranët e UÇK-së, i ka bashkuar votat me Listën Serbe.
“Katër vjet pushtet të Kurtit, e kategoritë e lirisë vazhdimisht janë poshtëruar nga qeveria. Vetëvendosje nuk ka hezituar që për të mos i përfshirë kategoritë e lirisë në pagën minimale, të bashkojë votat edhe me Listën Serbe”.
“Nëse Kurti pretendon që vartësit e tij ‘ia kanë pirë duhanin tinëz’, atëherë le t’i rritë sot pagat e familjeve të dëshmorëve e martirëve, invalidëve, veteranëve, viktimave të dhunës seksuale. Mundësinë dhe buxhetin e mjaftueshëm e ka. Fatkeqësisht, kjo nuk pritet të ndodh, sepse është vetë Kurti ai që qëndron pas marrëveshjeve me ‘vendasin’ dhe Listën Serbe”, ka shkruar Haradinaj.