Haradinaj: Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut
Me rastin e Ditës së Kushtetutës, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë shkruar kapitujt e një Kushtetute moderne, me forcën e vullnetit të shprehur lirshëm, me të cilën normojnë të drejtat dhe obligimet në barazi.
“Njëmbëdhjetë vjet më parë, përmes aktit më të lartë juridik-politik, u vulos Kosova si shtet i pavarur e sovran, një demokraci sovrane e shumë-etnike, e re në moshë, liberale në ide dhe Perëndimore në frymën e saj”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.
“Urime Kosovë Dita e Kushtetutës!”, ka shkruar Haradinaj.