Haradinaj: Kushtetuta është vija e kuqe në dialog
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se Kushtetuta e Kosovës është vija e kuqe në dialogun Kosovë-Serbi.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes se qeverisë, ai ka deklaruar se kushdo që shkelë parimet e vendosura në Kushtetutë, do të shkarkohet.
“Ju e dini se janë shkarkuar presidentë sepse kanë shkelur Kushtetutën. Ne kemi vija të kuqe, ne i kemi në kushtetutën e vendit. Jemi të shpallur shtet, kemi territor. Nëse dikush del jashtë këtyre, ju e dini, është shkarkuar presidenti dy herë. Unë e kuptoj idenë që të nxjerrim vija të kuqe, që janë parimore, por ne e kemi kontratën nga e cila askush nga ne në Kosovë nuk guxojmë të dalim. Ajo është kushtetuta e vendit. Konsensusi politik i brendshëm nuk është vetëm t’i mbrojmë vijat, por është që të afirmojmë të drejtën tonë”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i qeverisë ka treguar se ka parë sinjale të mira për fazën finale të dialogut nga dy partitë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate.