Haradinaj: Le t’i japë dikush tokë Serbisë nëse guxon
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk i ka borxh askujt dhe nuk është nën turp.
Ai gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka thënë se le t’ia japë dikush një copë tokë Serbisë nëse guxon.
“Vraju në luftë, torturohu edhe më tutje dhe në fund, edhe një copë tokë Serbisë. Le të guxojë t’i jep kush tokë Serbisë dhe do ta shohë se si do të dalë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se do të vazhdojnë ta përkrahin dhe forcojnë Kosovën.
“Duhet të kthehemi kah vetja, t’i besojmë dhe ta forcojmë atë. Nëse vazhdojmë ta forcojmë Kosovën me institucione, qeverisje, me vlera, ju siguroj që miqtë e kanë shumë lehtë të na përkrahin. Serbia dëshiron që të bëhet anëtare e BE-së edhe tri vjet dhe edhe këto tri vjet ajo do ta mbajë Kosovën kështu, por kur të vijë koha që ajo dëshiron të hyjë në BE, është mirë që atëherë ne të mos pajtohemi dhe të mos pranojmë njohjen reciproke, duke i thënë se edhe Kosova tani i ka disa vjet”, është shprehur Haradinaj.