Haradinaj: Liberalizimi i vizave mund të arrihet deri në fund të vitit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur optimist se Bashkimi Evropian (BE) do të miratojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se dinamika e paraparë në BE, por edhe ne vendet veç e veç të BE-së e mundëson që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
Haradinaj në një konferencë për medie ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave kalon nëpër disa faza.
“Në qershor, institucionet e Bashkimit Evropian do të bëjnë vlerësimin, që unë besoj se është pozitiv. Mirëpo ky vlerësim do të kalojë prapë nëpër institucionet e BE-së, kurse ne do ta vazhdojmë dinamikën, punën me këto institucione si dhe nevojitet aprovimi i vendeve veç e veç”, tha Haradinaj.
Ai ka thënë se kjo çështje si dinamikë kohore mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
“Është me rëndësi që këtë porosi ta çojmë të gjithë prej Kosovës me kujdesin më të madh. Jeta e brendshme politike, gara e brendshme politike asnjëherë nuk do të ndalet, por nuk duhet të bëjmë gabime dhe duhet të përçojmë porosinë se qytetarët e vendit e meritojnë lëvizjen e lirë. Ne prej Kosovës nuk do t’u dërgojmë vendeve të BE-së krim e emigrantë, por do të ketë shkëmbime”, ka thënë Haradinaj.