Haradinaj: Ligji për zgjedhjet nacionale lehtëson votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se votimi me koncensus nga të gjitha partitë politike i Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë është lajm i mrekullueshëm.
Sipas tij, ky ligj nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, por ka adresuar disa prej shqetësimeve serioze, që kanë qenë brengë jo vetëm e Kosovës por edhe e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ai e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë, garanton numërim transparent e të mbikqyrur të votave per kandidatë, shkurton kohën e numërimit për parti politike, heqë heshtjen zgjedhore që ishte shndërruar në kurth për ndëshkimin e subjekteve zgjedhore, inkurajon partitë politike që të kandidojnë më shumë gra, si dhe disa ndryshime të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka theksuar se po ashtu është shumë i lumtur që edhe përfaqësuesit e AAK-së, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në hartimin e këtij Ligji, por edhe në arritjen e koncensusit politik i cili ka reflektuar edhe në votimin e sotëm në parlament.