Haradinaj: Liria që gëzojmë sot u pagua me një çmim të madh

13 prill 2025 | 10:23

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se liria që gëzojmë sot u pagua me një çmim të madh.

“Shumë familje humbën më të dashurit e tyre nga terrori shtetëror serb, i cili kishte për qëllim shfarosjen e një populli të tërë. Armiku nuk kurseu as foshnjat, as fëmijët në prehër të nënave, pleqtë e të pambrojturit”.

“Në fshatin Studenicë të Istogut, muaji prill sjell kujtime të dhimbshme për nëntë bashkëkombas të vrarë në mënyrën më barbare nga regjimi kriminal serb – tetë anëtarë të familjes Lipaj dhe një nga familja Zeqiraj. Të rrethuar në shtëpi nga forcat serbe, ata u nxorën në oborr dhe u ekzekutuan nga afërsia. Pas vrasjes, trupat e tyre u hodhën në një bunar pranë shtëpisë, të cilin armiku më pas e shkatërroi për të zhdukur gjurmët e krimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka theksuar se armiku nuk u ndal. “Në të njëjtën ditë, në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, forcat serbe ekzekutuan shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy të familjes Hoxha”.

“Edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtyre krimeve barbare. Shteti serb duhet të ballafaqohet me krimet e veta. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump synon të dëbojë një milion emigrantë…