Haradinaj liron nga detyra zëvendësministrin e Administratës Publike
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka liruar nga detyra zëvendës ministrin e Administratës Publike, Bujar Nerjovaj.
Haradinaj ka bërë me dije se një vendim të tillë e ka marrë me kërkesë të Nerjovajt.
“Sot kam liruar nga detyra zv/ministrin e Administratës Publike Z. Bujar Nerjovaj. Lirimi bëhet me kërkesë të tij me qëllim të vazhdimit të procesit gjyqësor. E falënderoj zv/ministrin Nerjovaj për punën dhe kontributin në Ministrinë e Administratës Publike!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Të hënën, Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor zëvendësministrin e Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Ai është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti, i njëjti nuk kryen vepër penale.
Nerjovaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare për katër objekte hoteliere që gjenden në Zonën Historike të Prizrenit gjatë kohës sa ishte drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në komunën e Prizrenit.
/Epoka e re/