Haradinaj: Loja me kufij, eksperiment i rrezikshëm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur kundër idesë për ndryshimin e kufirit të Kosovës apo kufijve në Ballkan në përgjithësi.
Ai ka thënë se kjo retorikë politike duhet të ndalet, ngase Kosova nuk e ka luksin që të lëshohet në temën e ndryshimit të kufirit.
Haradinaj ka thënë se do të dëshironte të mbetej i rezervuar ndaj një kërkesë të përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë si mbështetje politike që këto komuna të Serbisë, t’i bashkohen Kosovës.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se loja me kufi mund të jetë shumë e rrezikshme.
“Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se sa me rrezik është loja me kufi në Ballkan. E dimë nga e kaluara, sa herë janë hapur nuk dihet ku janë mbyllur dhe në të mirën e kujt. Sa herë janë hapur nuk është ditur se ku do të mbyllen, pas sa tragjedive dhe në të mirën e kujt”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se e ka ftuar opozitën që të përfshihet në ekipin negociator në mënyrë që ky ekip të përfaqësojë Kosovën në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.