Haradinaj: Luftimi i korrupsionit, mundësi për zhvillim ekonomik
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast ka theksuar se gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e mirë dhe për këtë nevojitet vendosja e shtetit ligjor dhe luftimi i korrupsionit.
Haradinaj ka deklaruar se shkalla e lartë e korrupsionit pengon zhvillimin ekonomik dhe ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë dhe për këtë jemi të përkushtuar që të krijojmë rregull në punë.
“Ju e keni një rol shumë të rëndësishëm, në administrimin e tatimeve dhe gjithë procesit tatimor në vend”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke i falënderuar për punën dhe të gjitha të arriturat në ATK.
Më tutje, Haradinaj ka theksuar se rritja ekonomike e paralajmëruar prej rreth 5 për qind për vitin që vjen nuk është e mjaftueshme dhe për këtë tha se është mirë që t’i fuqizojmë sipërmarrësit të cilët më së miri dinë të krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi dhe të ndërmarrin veprimet më të duhura për rritjen ekonomike në vend.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka thënë se si institucion kyç për grumbullimin e të hyrave për buxhetin e Republikës së Kosovës, ATK-së, ka përgjegjësi ligjore që të kujdeset për administrimin e tatimeve në nivel qeveritar.