Haradinaj: Mali i Zi, model për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar sot ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrog Boskovic.
Në profilin e vet në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se përvoja e Malit të Zi, si anëtar i NATO-s, i shërben Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në paktin veriatlantik.
“Përvoja e Malit të Zi, si anëtar i NATO-s, na shërben në rrugën tonë të anëtarësimit në paktin veri-atlantik. Ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boskovic, e falënderova për përkrahjen dhe gatishmërinë për fuqizimin e partneritetit në fushën e sigurisë, gjithmonë në funksion të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Me tranzicionin e FSK-së, Kosova po e përmbyllë arkitekturën e saj të sigurisë, si garanci për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme edhe në rajon e më gjerë”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/