Haradinaj: Marrëveshja e Kumanovës i dha fund kapitullimit të Millosheviqit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se sot, 20 vjet më parë në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja e cila përfundimisht i dha vulën të drejtës tonë për të jetuar në liri.
“Kjo marrëveshje e kapitullimit të Millosheviqit ndali vazhdimin e gjenocidit, agresionit dhe spastrimit etnik. NATO në këtë triumf të përbashkët me popullin e Kosovës përcaktoi se e drejta e njerëzve tanë për të thyer okupimin është e drejtë njerëzore”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kryeministri ka thënë se sot kujtojmë me respekt të gjithë ata që ranë për të ndërtuar themelet e të drejtës që na takonte.
“Kujtojmë burrat dhe gratë e shteteve anëtare të NATO-s që u rreshtuan kundër gjenocidit dhe për lirinë, një rreshtim fisnik e sublim jo vetëm për popullin e Kosovës por për tërë njerëzimin!”, ka shkruar Haradinaj.