Haradinaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi na mundëson ta shtrijmë juridiksionin në Veri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar aneksi për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur në takimin në Ohër të Maqedonisë më 18 mars, ia mundëson Kosovës që ta shtrijë sovranitetin edhe në Veri.
“E kam përkrahur dhe e mbështesë arritjen e marrëveshjes e cila na hapë perspektiven tonë, drejtë NATO-s, drejt BE-së, po ashtu na mundëson me shtri juridiksionin në veri. E ndanë Kosovën njëherë e përgjithmonë nga Serbia”, ka deklaruar ai për portalin Albora.ch në Zvicër gjatë vizitës në këtë shtet.
“Kryesisht temat e sigurisë i kam prioritet, planin e anëtarësimit të Kosovën në NATO, edhe në shtrimin e sigurisë në vend, veçanërisht në veri e kemi në interes. Më pastaj, ekonomia dhe drejtimet tjera që janë me rëndësi”, shtoi ai.
Kreu i AAK-së ka shtuar se “një nga mençurit tona është që ta mbajmë Kosovën në aleancë me Amerikën dhe perëndimin”.
Ndryshe, më 20 mars Haradinaj përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook pati thënë se Kosova “duhet t’i arrijë tri objektiva qysh në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
Sipas Haradinajt, renditja duhet të jetë kështu; “e para, ta arrijë partneritetin për paqe si fazë e parë e anëtarësimit në NATO”, e dyta “të rikthehet në agjendën integruese evropiane, duke e rikthyer edhe procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës”.
Objektiva e tretë sipas Haradinajt, është që “Kosova ta rivendosë rendin dhe ligjin në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje”.
Ndërkaq, ish-kryeministri nënvizon se krahas obligimeve që Kosova i ka marrë në planin e zbatimit të pranuar në Ohër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këto objektiva të renditura nga ai “duhet të jenë prioritetet e Qeverisë në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes së Ohrit”.
Haradinaj kishte njoftuar më 11 mars se pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie ishte vendosur që të mbështetet propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Albanianpost.com