Haradinaj: Marrëveshja për ‘Kosovën e Re’, arritje e madhe
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, është një e arritur e madhe e popullit të Kosovës që, sipas tij, ndikon në konsolidimin e shtetit.
“Pas një pune të madhe të shumë njerëzve, ekspertëve dhe të gjitha qeverive të Republikës së Kosovës, sot është arritur marrëveshja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, që është investimi më i madh në historinë e re të Kosovës. Kjo marrëveshje është një e arritur e madhe e popullit të Kosovës, që ndikon në konsolidimin e shtetit. Pas nënshkrimit të kontratës, ky projekt siguron pavarësinë energjetike të Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me parametrat e fjalës së fundit të teknologjisë, që mundëson mbrojtjen e mjedisit, siguri për investitorët e huaj në fushat e tjera si dhe vende të reja të punës. Po ashtu, me kapacitetet e reja do të mundësohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë-Kosovës. Urime Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.