Haradinaj: Masakra e Reçakut mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetërore ushtarake serbe kreu në Kosovë
Në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se para 25 vitesh, një akt ç’njerëzor tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë.
Haradinaj pasi ka bërë homazhe, ka theksuar se masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetërore ushtarake serbe kreu në Kosovë. Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”.
“Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me respekt të thellë do të kujtojmë gjithmonë ata që me flijimin e tyre u bënë themelet e lirisë sonë! Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan, William Walker, që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë, falënderojmë Amerikën e cila ishte krah nesh në të gjitha periudhat historike”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka pohuar se në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, theksohet edhe më shumë nevoja për stabilitet dhe më shumë paqe në rajon e botë.
“Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të”, ka deklaruar Haradinaj.