Haradinaj mbështet policinë, kritikon qeverinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksionit në veri të vendit nga ana e Policisë së Kosovës.
Fillimisht, ka mbrojtur policinë, duke thënë se askush nuk guxon të ngre dorë ndaj policëve të Kosovës.
Me tutje, Haradinaj ka thënë se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve policore.
“Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës. Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar.
Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve.
Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale.
Në mbështetje të Policisë së Kosovës.