Haradinaj: Mbi 75 për qind e ujërave në Kosovë keqmenaxhohen
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar të martën Strategjinë shtetërore për ujëra në Kosovë 2017-2036, si dhe Raportin vjetor për vitin 2017 të Autoritetit Rregullativ për Ujëra (ARU).
Kryetari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar që të intervenohet urgjentisht në sektorin e ujërave në Kosovë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se në Kosovë mbi 75 për qind e ujarëve keqmenaxhohen.
Më tutje, Haradinaj ka përmendur një varg dështimesh të projekteve të ujësjellësit, për të cilat ka thënë se Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk është treguar serioze në këtë drejtim. “Fatkeqësisht në Kosovë mbi 75 për qind e ujërave keqmenaxhohen. Po ashtu ka burokraci në mes të komunikimit zinxhiror si dhe politizim të bordit. Është mirë t’i trajtoni më seriozisht pasi keni investuar mbi një milionë euro. Nuk është në rregull kur temperaturat janë mbi 40 gradë t’i leni banorët pa ujë. Keni lënë projektin në gjysmë si në Istog-Klinë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e shumë vende të tjera”, ka thënë Haradinaj, raporton “Epoka e re”.
Vërejtje për sektorin e ujërave në Kosovë ka dhënë edhe anëtari i këtij komisioni nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), Sali Salihu. Ai ka thënë se është e nevojshme që në Kosovë të ndërtohet një akumulues i ujërave dhe të lihet anash autostradat. “Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk është duke e shqyrtuar si duhet resursin ujë. Neve ujë na humb pasi nuk kemi akumulim të tij dhe nuk mund të keni bujqësi të zhvilluar pa ujë. Kosova ka nevojë të domosdoshme të ketë akumulim të ujitë. Kjo do të ndikonte edhe në zhvillimin ekonomik. Do të ishte më mirë të kishim akumulues të ujit dhe të lenim mënjanë një autostradë”, ka thënë Salihu.
A.MAVRAJ