Haradinaj mbledh strukturat e partisë, diskuton për zhvillimet e fundit politike në vend
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike, zgjedhja e Komisionit për Etikë, caktimi i datës së mbajtjes së Kuvendit të Punës dhe artikulimi i qëndrimit mbështetës për kandidatët që garojnë për Parlamentin Evropian, partitë e të cilëve janë anëtare të Partive Popullore të Evropës (PPE).
Në përputhje me statutin e AAK-së, janë zgjedhur të pesë anëtarët e Komisionit për Etikë, dhe ata janë Vasilika Zotaj, Smajl Latifi, Drita Kukaj, Selim Selimi, Zenun Elezi.
Nga ky takim, data e mbajtjes së Kuvendit të Punës është caktuar më 9 qershor, ku si temë qëndrore do të jenë orientimet strategjike të partisë, përkatësisht do të diskutohet zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe anëtarësimi në grupin e qendrës së djathtë, PPE.
“Marrë parasysh se zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë afër, AAK si parti e qendrës së djathtë përkrah formacionet politike simotra. Po ashtu, AAK fton të gjithë shqiptarët me të drejtë vote që jetojnë në shtetet e Bashkimit Evropian (BE), të dalin në zgjedhje dhe të përkrahin kandidatët, parimi i të cilëve është pluraliteti dhe demokracia. Kujtojmë se këta kandidatë kanë qenë ndër më të zëshmit në përkrahjen dhe promovimin e interesave të Kosovës në BE, prandaj vlerësojmë se duhet t’i besojmë edhe njëherë me votë”, është thënë në njoftimin e AAK-së.
/Epoka e re/