Haradinaj mbrëmë në Pejë: Çakorri dhe Zhlebi kthehen me Gjyqin e Arbitrazhit
Kosovës i mbetet Gjyqi i Arbitrazhit për ta kthyer Çakorrin e Zhlebin brenda territorit të Kosovës, nëse kufiri nuk korrigjohet me vullnetin dhe bashkëpunimin e Malit të zi, ka thënë kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri Haradinaj gjatë një takimi me përfaqësuesit e fshatrave kufitare të rajoneve të Rugovës dhe Podgurit.
Haradinaj, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen aq masive duke thënë se “e kemi pasur nijetin e mirë dhe na ka dal mirë”.
Ai ka lexuar nenin 3 të Ligjit për Demarkacionin të votuar nga Kuvendi gjatë kohës sa ai ishte kryeministër i vendit.
Lideri i AAK-së ka sqaruar rëndësinë e Marrëveshjes së dy presidentëve dhe ka theksuar se nëse nuk ka vullnet politik të bëhet korrigjimi në Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit, atëherë Kosovës i mbetet Gjyqi i Arbitrazhit.
Haradinaj ka theksuar po ashtu se duhet të kihet kujdes në përgatitjen e materialeve qoftë për korrigjim qoftë për arbitrazh, që Kosova të shenjojë kufirin aty ku është e drejta e saj.
Ai ka kërkuar që asnjëri nga shtetet nuk duhet të provokohet nga faktorët që kërkojnë të destabilizojnë rajonin, por që kjo çështje të zgjidhet ashtu si i ka hije dy fqinjëve.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për gazetën malazeze “Vijesti”, të premtën ka thënë se demarkacioni ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar dhe kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të dyja vendeve.
Gërvalla ka thënë se Qeveria e Kosovës është e bindur se kjo çështje do të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme dhe kur rajoni të jetë më i qetë.