Haradinaj më 1 korrik viziton Parisin, në agjendë liberalizimi i vizave
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka diskutuar për vizitën e tij zyrtare në Paris që do të realizohet më 1 korrik dhe për takimin që do të ketë me ministrin e Brendshëm të këtij shteti, Christophe Castaner.
“Me qëllim të koordinimit dhe avancimit të agjendës së Kosovës për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian, partneritetit bilateral politik dhe ekonomik me Francën, Qeveria ka finalizuar përgatitjet dhe argumentet e saja, të cilat ia paraqita ambasadorit Chabert dhe të cilat do t’i paraqesim edhe para zyrtarëve francez. Në këtë vizitë do të zhvilloj takime edhe me përfaqësues të tjerë institucional dhe politik të Francës, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe kërkimin e mbështetjes për avancimin e agjendës evropiane të vendit”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/