Haradinaj: Me Aleancën në qeveri, Istogu do të shndërrohet në pikënisjen e autostradës së Dukagjinit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Kuvendin e Degës së kësaj partie në Istog.
Më këtë rast, Ukë Blakaj është zgjedhur kryetar i kësaj dege.
Haradinaj ka thënë se Blakaj do të jetë edhe kandidat i AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut në zgjedhjet lokale.
“Në Kuvendin e degës së Aleancës në Istog dhe në hapjen e selisë së re të degës, një qytet me të cilin kam lidhje të thella emocionale që nga lufta për liri. Rezultat i këtij kuvendi, është zgjedhja e kryetarit të ri të degës së Istogut, z. Ukë Blakaj, një afarist i suksesshëm nga diaspora. Këtë detyrë deri sot me shumë sukses e kreu Bekë Berisha, aktualisht deputet, i cili angazhimin e tij për vendin do ta vazhdojë nga pozicione të tjera partiake dhe parlamentare. Angazhimi ynë për të sjellë përvojë dhe energji të reja në radhët tona është i vazhdueshëm. Ukë Blakaj gjithashtu është nominuar si kandidat për kryetar të Komunës së Istogut dhe ka marrë miratimin për të garuar edhe për ulëse në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ndër të tjera, ai ka përmendur se me AAK-në në qeverinë qendrore prioritet do të jetë autostrada e Dukagjinit.
“Pas 9 shkurtit, me Aleancën në qeveri, Istogu do të shndërrohet në pikënisjen e Autostradës së Dukagjinit, një projekt madhështor që do ta lidhë me Prizrenin. Kjo do të hapë mundësi të reja zhvillimi për të gjithë rajonin. Së bashku, jemi të vendosur ta shndërrojmë Istogun dhe mbarë Kosovën në një destinacion tërheqës për investime, me ekonomi të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në NATO e BE”, ka shkruar Haradinaj.