Haradinaj: Me Kurtin diskutuam për marrëveshjen potenciale me Serbinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.
Haradinaj ka thënë se takimi me Kurtin ka qenë përmbajtësor.
“E diskutuam procesin, e diskutuam vetë marrëveshjen, diskutuam për sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Mund të them se ishte takim me përmbajtje, sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale Kosovë-Serbi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se finalizimi i këtij procesi duhet të bëhet me vulën e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja do të duhej të nënshkruhej në Uashington.
“Duhet ta ketë vulën e Amerikës, jo vetëm mbështetjen e Amerikës. Për të qenë ky proces në garanca të plota, duhet të nënshkruhet edhe nga niveli i njëjtë amerikan”, ka theksuar Haradinaj.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për qasje serioze në këtë fazë të dialogut.
“Vendimet e dialogut nuk janë vendime që i ndryshon dikush më pas. Duhet të jemi sa më seriozë, duke marrë parasysh shkallën e seriozitetit të akterit ndërkombëtar, duke parë sa seriozë janë Uashingtoni, Berlini, Londra, Parisi. Ne duhet ta konsiderojmë me shumë seriozitet këtë proces. Do të punojmë që Kosova të dalë e suksesshme. Nuk bëhet fjalë për agjenda tjera, as zgjedhore, as qeverisëse”, është shprehur Haradinaj.
Lideri i AAK-së nuk u është përgjigjur gazetarëve nëse në takim është diskutuar për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Kryeministri Kurti u ka dërguar ftesë edhe dy partive tjera opozitare për të diskutuar për këtë çështje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo ato nuk kanë pranuar.