Haradinaj: Me qeverisjen tonë do të hyjmë në histori

27 tetor 2018 | 16:18

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se për të dhe qeverinë e tij prioritet mbetet siguria dhe ruajtja e rendit në vend. Ndërsa thotë se me qeverisjen që po bëjnë do të hyjnë në histori.

Këto deklarata Haradinaj i bëri gjatë një takimi të Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me qytetarët në Deçan.

Haradinaj njoftoi se gjatë votimit të buxhetit për vitin 2019, i kanë dhënë prioritet sigurisë, duke ua rritur pagat punonjësve në institucionet e sigurisë. “Prioritet pra është siguria. Rendi, ligji dhe siguria janë trajtuar me respektin më të madh, policët, gjyqtarët, prokurorët, gjyqtarët dhe prokurorët tanë i kanë pagat më të larta në rajon, policia jonë tash veç po hyn rangun e pagave më të larta, do të thotë garon me policitë më të e vendeve më të zhvilluara, jo veç me këto që i kemi përreth. Ushtarët tanë po, inteligjenca jonë po, nëse dikush do ta aktivizojë Trepçën, parakushti i parë është siguria, rendi dhe ligji. Adaj, mund t’iu them se si Kosovë, provimin e parë për me ndodhë ekonomia, investimet, vendet e punës, e kemi kaluar”, ka thënë Haradinaj.

Ai përmendi edhe ushtrinë e Kosovës, për të cilën tha se është kushtetuese dhe ka mandatin e saj. Haradinaj tha se kjo ushtri synon t’i ndihmojë misionet e sigurisë në Kosovë, e jo të garojë me to.

Po ashtu, gjatë këtij tubimi, Haradinaj kërkoi mbështetjen dhe besimin e qytetarëve të Deçanit.

“Nuk jemi në garë me NATO-n, nuk jemi në garë me KFOR-in, KFOR-i është po ashtu ushtria jonë, është e jona, është në Kosovë, është mision i paqes, NATO është e jona edhe ushtria jonë pra është NATO, do të jemi bashkë. Nuk jemi në garë me NATO-n por dëshirojmë të bëhemi miq, të jemi ata që e ndihmojmë NATO-n edhe në Kosovë por edhe më gjerë në botë”, u shpreh ai.

Ai duke folur për qeverisjen pati edhe një paralajmërim.

“Këto logjika do t’i kryejnë edhe disa punë tjera që ne i kemi afër por nuk i paralajmërojmë pa i kryer por iu sigurojë që do të hymë në histori, ashtu siç kemi hyrë dikur në kohën e lirisë, kur e kemi bërë punën e nuk kemi fol, kur na kanë sha e na kanë kritikuar ata që kanë njëjtë gjithë ditën e nuk kanë bërë punë, kemi me hy në histori edhe një herë me qeverisjen”, ka thënë Haradinaj.

Kurse, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, Haradinajn e quajti njeri të vendimeve të mëdha, duke shtuar se qeverisja e tij po i jep shpresë e perspektivë banorëve të Deçanit.

Përndryshe, gjatë ditës së sotme, Haradinaj ka marrë pjesë në aksion “Ta pastrojmë Kosovën”,  të organizuar në lagjen “Carrpatok” të Gjakovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Distria Krasniqi është stolisur me medaljen e argjendtë në Grand…